Falimentimi i Telekomit të Kosovës përbën Kërcënim Serioz për Sigurinë Kombëtare

Telekomi i Kosovës është përgjegjës për njërin nga dy operatorët kryesorë të shërbimeve telefonike të vendit me një klientelë të rreth 1.1 milion përdoruesve por që nga zhvillimet e fundit rrezikon të falimentojë e tëra. Ky skenar është diskutuar në disa instanca nga mediat, mirëpo, vlen të ceket se përpos dëmeve ekonomike dhe faktit që më shumë se 2,300 punonjës të Telekomit veç se kanë mbetur pa paga në një periudhe të veshtirë nga pandemia, ky rast gjithashtu implikon edhe mundësinë e cenimit të sigurisë kombëtare.

PRISHTINË — Me vendimin nr. 1486/19 të datës 08.07.2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Telekomit të Kosovës u janë bllokuar përsëri llogaritë bankare nga përmbaruesi privat që përqafëson kompaninë “Dardafon.net“. Pas ushtrimit të ankesës nga debitori për vendimin e lartëcekur, Gjykata e Apelit me vendimin nr. 3610/20 ka refuzuar ankesën si të pathemeltë, duke lënë kështu në fuqi urdhërin për caktimin e përmbarimit të borxhit ndaj kreditorit prej 25 milion eurove.

Kjo situatë e krijuar me Telekomin e Kosovës pas vendimit të vitit 2016 nga Gjykata e Arbitrazhit ka ngritur shumë shqetësime tek qytetarët dhe ekspertët e fushave të ndryshme rreth pasojave që kjo mund ketë për vendin tonë. Qeveria e Kosovës ka tashmë dy zgjidhje para vetes: i) të paguaj borxhin ose ii) të ndërmarrë hapa drejtë privatizimit të ndërrmarrjes. Por, në rast se nuk përfillet asnjëra nga alternativat, atëhere Telekomi i Kosovës do të përballet ma falimentim dhe përpos dëmit ekonomik, social dhe politik, do të paraqet edhe një pasojë kyçe që do të rrezikonte sigurinë në Kosovë; pjesë e cila shtjellohet në vazhdim.

Telekomi i Kosovës, si ndërmarrje publike në pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës, kategorizohet si Infrastrukturë Kritike Kombëtare për Republikën e Kosovës. Sipas Nenit 4, Paragrafi Nr. 1 të Ligjit Nr. 06/L-014 për Infrastrukturën Kritike në mbështetje të Nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së KosovësInfrastruktura kritike kombëtare përfshin sistemet dhe asetet, qoftë fizike apo virtuale, të cilat janë aq jetike për Republikën e Kosovës saqë çrregullimi, paaftësia, ose shkatërrimi i sistemeve dhe aseteve të tilla do të kishte një ndikim shkatërrues mbi sigurinë, ekonominë, shëndetin publik, ose çfarëdo kombinimi të tyre”. Në Paragrafin Nr. 2 të Nenit 5 të këtij ligji, “teknologjia e informacionit dhe komunikimit (komunikimi elektronik, video dhe audio transmetimi, sistemet e informacionit, telekomunikacioni, transmetimi i të dhënave)” përcaktohet si sektor i infrastrukturës kritike kombëtare të Republikës së Kosovës. Duke pasur parasysh mbulueshmërinë dhe qasjen që Telekomi i Kosovës me shërbimet e veta ka në institucionet shtetërore dhe tek qytetarët e Republikës së Kosovës, atëherë është e qartë se kjo ndërmarrje përbën infrastrukturë kritike kombëtare për vendin.

Pasojat që do të vinin nga falimentimi i Telekomit për shtetin e Kosovës është vështirë të dihen pasi që momentalisht është situatë hipotetike dhe me implikime jo të menjëhershme. Mirëpo, ajo që dihet qartë është se siguria e vetë shtetit të Kosovës do të rrezikohej nga ky skenar për faktin se në thelb kjo ndërrmaje cilësohet si infrastrukturë kritike si dhe komunikimi në institucionet publike e shtetërore varet drejtpërdrejt nga shërbimi i Telekomit të Kosovës. Këto perfshijnë entitetet duke filluar nga Qeveria e Kosovës, gjykatat, policia, FSK, institucionet shëndetësore, arsimore, financiare dhe shumë institucione tjera vitale për funksionimin e rendit publik, ekonomisë, sigurisë, shëndetit publik dhe vetë shtetit.

Sipas raportit të tremujorit të dytë për vitin 2020 nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), VALA dhe IPKO konsiderohen si dy operatorët kryesor telefonik në Kosovë me mbulueshmëri të tregut prej 60.38% dhe 37.92% respektivisht. Rrjedhimisht, në rast të falimentimit të Telekomit të Kosovës, rrezikohet që më shumë se gjysma e përdoruesve telefonik të mbesin pa shërbim. Mirëpo, duhet të theksohet gjithashtu se me falimentim nuk nënkuptohet mosdisponueshmëria e menjëhershme e shërbimeve por ajo graduale. Pra, nëse supozohet skenari më i keq, në rastin e paraqitjes së ndonjë defekti eventual entiteti në fjalë nuk do të ketë resurse të mjaftueshme (njerëzore ose asete teknike) për rikuperimin e pjesshëm ose të plotë të shërbimit. Për më shumë, një numër aq i madh i qytetarëve do të ishte e pa mundur që të gjente mbulueshmëri tek ndonjë operator mobil tjetër, të paktën jo për kohë relativisht të shkurtër si nga aspekti teknik dhe ai operacional. Përpos shërbimit telefonik, Telekomi i Kosovës ka një mbulueshmëri të madhe edhe me internet e shërbime tjera tek qytetarët e vendit. Në kohën kur ne jemi të varur nga kompjuteri dhe telefoni më shumë se kurrë, rënia e komunikimit në masë kaç të madhe është e një rreziku jetik.

Në kontekstin e njejtë për rrezikimin e sigurisë në vend konsiderohet edhe njëra nga ofertat nga Qershori i këtij viti për blerjen e operatorit IPKO nga Telekomi i Serbisë, duke marrë parasysh që shteti Serb i ka në pronësi 58% të aksioneve të ofertuesit. Ka mjaft shëmbuj nga vendet perëndimore se si shteti nuk lejon kompanitë e huaja, sidomos ato me prapavijë shtetërore, të bëjnë çfarëdo blerje apo investim i cili do të rrezikonte sigurinë kombëtare. Rasti i Huawei-t është një ndër shembujt më konkret se si bota perëndimore tenton të kufizoj qasjen dhe ndikimin e Kinës në vendet e tyre. Edhe pse në publikun e gjerë lënë është të nënkuptohet nga ARKEP se oferta e Serbisë nuk do të jetë alternativë në tavolinë dhe se për këtë blerje duhet pëlqimi i tyre, nga ky autoritet kërkohet që të tregohen vigjilent duke konsideruar edhe vështirësitë financiare me të cilat po ballafaqohet IPKO momentalisht.

Si përfundim, Qeveria e Kosovës duke përfshirë Këshillin e Sigurisë të Kosovës dhe akterë të tjerë relevant do të duhej të analizojnë mirë këto pasoja dhe të ofrojnë alternativën më të mirë për të normalizuar punën e Telekomit si dhe nuk duhet të lejojnë blerjen e IPKO në Kosovë nga Telekomi Serb me asnjë çmim. Realiteti me të cilin po përballemi është shembulli më i mirë i domosdoshmërisë që Kosova ka. Së pari, në rregullimin e kornizës ligjore që do të liberalizonte tregun e shërbimeve telefonike për të mos ardhur në këtë situatë ku jemi të varur plotësisht nga dy operatorë – që të dy me probleme financiare. Së dyti, Qeveria duhet që të ketë shërbimet e veta të komunikimit dhe të mos jetë e varur nga kompanitë si dhe duhet të implementojë masat mbrojtëse për të gjithë sektorët e infrastrukturës kritike kombëtare nga perspektiva e menaxhimit të krizave.

Premtim Shaqiri
Author | Security Researcher
Nita Dragusha
Co-Author | Legal Analyst